Kulla Eiffel u mbyll të enjten për shkak të një greve mbarëkombëtare në Francë nga sindikatat kryesore të vendit.
Protestuesit dolën në rrugët e më shumë se 200 qyteteve dhe qytezave në të gjithë Francën për të denoncuar shkurtimet e shpenzimeve dhe për të kërkuar taksa më të larta për të pasurit.
Në Paris, mijëra punëtorë, pensionistë dhe studentë filluan të marshonin të enjten pasdite nga Place d’Italie dhe një tabelë në Kullën Eiffel i informoi vizitorët se ishte mbyllur për shkak të grevës dhe kërkuan falje.
Sindikatat po i kërkojnë kryeministrit Sébastien Lecornu të braktisë masat e projektbuxhetit të propozuara nga paraardhësi i tij, të cilat përfshijnë ngrirje të mirëqenies sociale dhe masa shtrënguese që shumë thonë se do ta gërryejnë më tej fuqinë blerëse të punëtorëve me paga të ulëta dhe të klasës së mesme. Ato gjithashtu kërkojnë taksa më të larta për të pasurit.
Lecornu, i emëruar muajin e kaluar, ende nuk ka zbuluar detajet e planeve të tij buxhetore dhe ende nuk ka emëruar ministrat e qeverisë së tij, gjë që pritet në ditët në vijim.
SNCF, kompania kombëtare hekurudhore, tha se shërbimet e trenave me shpejtësi të lartë po funksiononin normalisht të enjten, ndërsa disa linja rajonale u prekën nga ndërprerje të pjesshme.
Në Paris, trafiku i metrosë ishte afër normales, por shumë trena udhëtimi po funksiononin me kapacitet të reduktuar.
Disa mësues dhe punonjës të kujdesit shëndetësor gjithashtu iu bashkuan grevës, e cila vjen pas protestave të muajit të kaluar.
Kujtojmë, më 18 shtator, mbi 500 mijë demonstrues marshuan në qytetet e vogla dhe të mëdha të Francës, përfshirë Parisin. Një javë më parë, një ditë aksionesh antiqeveritare në të gjithë Francën pa rrugët e mbuluara nga tymi, barrikadat në flakë dhe breshëri gazi lotsjellës mes fushatës “Blloko gjithçka”./S.K/KP/CBSNews/