Nuk ka ende asnjë angazhim gjerman për dërgimin e tankeve në Ukrainë, tha të hënën ministri i Jashtëm ukrainas.
“Një vendim i tillë ende nuk është marrë. Nuk ka premtime. Por ne po punojmë për të, mjaft hapur”, tha Dmytro Kuleba për transmetuesin publik gjerman ARD.
Sipas tij, Ukraina nuk e kupton pse Gjermania furnizon artileri, por jo tanke.
“Për momentin, ka projekte nga Gjermania, kjo është shpërndarja e sistemeve Iris-T, ato janë armët kundërajrore”, tha Kuleba.
Tanket Cheetah janë gjithashtu armë kundërajrore. “Por në këtë moment, me sa di unë, tanket nuk janë përfshirë në këtë listë. Kjo është shumë keq”, shtoi ai.
Më parë, ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Oleksiy Makeev, tha se kishte marrë premtime në Berlin për dërgesa të mëtejshme të armëve.
Në një intervistë me të përjavshmen gjermane Welt am Sonntag, Makeev tha se do të bëhet një njoftim nga të dyja palët “në kohën e duhur” se çfarë lloj armësh gjermane do të dërgohen në Ukrainë.
Ai vuri në dukje se në frontin e luftës nevojiteshin urgjentisht më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, obus vetëlëvizës, tanke Gepard dhe municione.
“Ne jemi gjithashtu ende në bisedime për dorëzimin e tankeve Marder dhe Leopard. Megjithatë, vendimi për këtë varet nga qeveria federale (gjermane)”, tha ambasadori.
Kancelari gjerman Olaf Scholz deri më tani ka refuzuar të furnizojë tanke luftarake Leopard 2 me arsyetimin se asnjë vend tjetër i NATO-s nuk ka vënë në dispozicion tanke të tilla.
SHBA sinjalizuan të premten se nuk shohin asnjë pengesë në këtë. Por ishte vendimi i Gjermanisë, u tha gazetarëve zëvendës sekretarja amerikane e shtetit Wendy Sherman gjatë një vizite në Berlin./AA