Për herë të dytë në më pak se tre vjet, Kanali i Suezit bëhet i pakalueshëm, duke vënë në krizë trafikun ndërkombëtar dhe tregtinë botërore. Në gjysmën e dytë të marsit 2021, kur bota po rikthehej me mundim nga kriza e pandemisë Covid 19, një stuhi me erë dhe rërë shkaktoi kalimin e një anijeje gjigante mallrash, Ever Given, duke bllokuar lundrimin për disa ditë dhe duke shkaktuar rritjen në qiell të çmimeve, nga nafta e papërpunuar te perimet.
Sot papërdorshmëria e një kalimi strategjik, që përshkohet çdo vit nga 22,000 anije, 30 për qind e trafikut detar ndërkombëtar dhe 15 për qind e tregtisë botërore, nuk shkaktohet nga forcat e natyrës dhe ngarkesa e tepërt e një anijeje tregtare, por nga rreziku i sulmeve tëHouti-ve, të quajtur ndryshe Partizanët e Allahut, rebelët jemenitë të armatosur dhe financuar nga Irani, të cilët që nga 9 nëntori i vitit që kaloi, kur shtinë në dorë anijen e mallrave Galaxy Leader, me një zbarkim spektakolar duke zbritur prej helikopterëve, kanë kryer plot 27 aksione kundër anijeve që kalojnë tranzit nga Gjiri i Bab al Mandab.
Efektet e menjëhershme janë të njëjtët. Reduktim i trafikut detar: 91 përqind për kontenierë, nga dje edhe shoqata ndërkombëtare e pronarëve të anijeve të naftës këshillon anëtarët e vet që të qëndrojnë larg nga Bab al Mandab, kompanitë e mëdha të kontenierëve si Maersk dhe Msc, që të marrin në konsideratë rrugën e Kepit të Shpresës së Mirë, 10 ditë më e gjatë se sa ajo e Suezit. Çmimet janë rritur menjëherë, duke nisur nga ata të naftës brut (4% në vetëm një ditë), e deri tek çmimet e furnizimeve ushqimore.
Por kësaj radhe, steka është shumë më lart dhe me rrezik se sa ajo e ngjarjeve të paparashikueshme natyrore. Dhe rreziku mund të jetë më afatgjatë se sa një stuhi rëre. Bëhet fjalë për të drejtën universale të lirisë së lundrimit dhe kundërvënies ndaj piraterisë, që është maskuar prapa mbështetjes për “kauzën palestineze”, për ofensivën izraelite në Gaza.
Në të vërtetë, Houti-tëve as nuk u bëhet vonë për palestinezët. Atyre u duhet vetëm si një argument më shumë për negociata, që ta hedhin në tryezën e bisedimeve të paqes me Arabinë Saudite, të cilat nisën pas armëpushimit të brishtë të vitit 2022. Siç ka thënë një ekspert i Chatham House, instituti autoritar londinez, Houti-t janë “biznesmenë ushtarakë shumë të zotë”, që janë duke kapitalizuar shansin që u ka dhënë ofensiva izraelite, e cila pasoi masakrën e tmerrshme të Hamasit në 7 tetor: “Mbrojnë Palestinën, sulmojnë Izraelin, denoncojnë hipokrizinë e vendeve të tjera arabe. Prandaj, sa kohë që lufta në Gaza do të vazhdojë, Houti-t do të vazhdojnë përshkallëzimin në Detin e Kuq”.
Pikërisht për të shmangur këtë “përshkallëzim”, përveçse për të rikthyer të drejtën e lirisë së lundrimit, SHBA dhe Britania e Madhe kanë vendosur një sulm masiv ndaj bazave të Houti-tëve në Jemen, të mbështetur nga një koalicion heterogjen, i përbërë nga Kanadaja, Australia, Bahreini dhe Holanda, e vetmja anëtare nga vendet evropiane.
Ndoshta sepse parimi i lirisë së deteve është i rrënjosur në kujtesën e një populli lundruesish dhe të një vendi, i cili ka qenë një fuqi e madhe detare: në vitet e tyre të artë, rreth viteve 1670, Kompania e Indive kishte 150 anije detare dhe 40 anije lufte.
Houti-t kishin qenë nënvlerësuar, sikur të ishin një formacion i vogël dhe më pak i rrezikshëm, të paktën në optikën perëndimore, në “boshtin e rezistencës” shiite, të drejtuar nga iranianët, përbërë nga Hamasi, Hezbollahu dhe Xhihadi Islamik.
Në të vërtetë kanë zhvilluar një aftësi ushtarake të madhe, e cila ka ardhur duke u rritur bashkë me ekspansionin e tyre territorial në Jemen dhe me shpenzimet e forcave qeveritare, duke zëvendësuar armatimet e vjetra sovjetike me instrumenta lufte moderne: nga raketat tek dronët, të cilat i ekspozuan vitin e kaluar në një paradë të madhe ushtarake në kryeqytetin Sana’a, bashkë me sloganin “Vdekje Amerikës, vdekje Izraelit”. Dhe besueshmëria e tyre politike është rritur falë mistifikimit me zotësi që i kanë bërë mbështetjes së “kauzës palestineze”.
Rreziku i një zgjerimi të konfliktit përballë një reagimi të fortë anglo-amerikan është real, edhe pse kukullat iraniane të “boshtit të rezistencës” duken shumë të kujdesshme dhe selektive në lëvizjen e fijeve, në morsën që duan të shtrëngojnë përreth izraelit. Por pasojat e një ndërprerjeje të tregtisë botërore do të ishin shumë më të rënda nëse do u lejohej Houti-tëve që të vazhdojnë piraterinë, me justifikimin e një “kauze të drejtë”. / (Paolo Garimberti, La Repubblica) (bota.al)