UBT News

Kujdes nga helmimi! Rreziku i padukshëm nga shalqiri dhe pjepri

Edhe pse për shumëkënd janë simbol i verës, shalqiri e pjepri fshehin rreziqe serioze për shëndetin, nëse nuk ndiqni një hap të thjeshtë para se t’i prisni.

Ekspertët tërheqin vëmendjen se larja e frutit, edhe pse duket e panevojshme, pasi nuk e konsumojmë lëkurën, është thelbësore për të shmangur helmimin.

Frutat rriten në tokë, ekspozohen ndaj dheut, pluhurit, ujit të ndotur e plehrave, gjatë korrjes ruajtjes dhe transportit grumbullojnë edhe më shumë mikrobe. Nga ara deri në tezgë, e në kuzhinën tuaj, kalojnë nëpër duart e shumë personave dhe askush nuk mund të dijë se sa herë janë prekur me duar të palara.

“Kur e prisni një shalqi ose pjepër pa e larë më parë, të gjitha bakteret nga lëkura transferohen përmes thikës direkt te pjesa e brendshme që e hani të gjallë”, shpjegon Dr. Darin Detwiler, profesor i sigurisë ushqimore në Universitetin Northeastern.

Dallimi i vetëm mes tyre është se lëkura e pjeprit, për shkak të strukturës së ashpër, mban edhe më shumë papastërti dhe mikrobe sesa ajo e shalqirit, prandaj kërkon larje edhe më të kujdesshme, transmeton Telegrafi.

Ndryshe nga shumë produkte tjera ushqimore, këto fruta nuk gatuhen kështu që bakteret si salmonela, listeria apo E. coli mund të mbijetojnë dhe të përfundojnë direkt në organizëm. Pasojat janë të njohura: nauze, të vjella, diarre, që shfaqen disa orë deri disa ditë pas konsumit.

Para se t’i ndani në feta, lani mirë, fërkoni me një furçë kuzhine nëse është e nevojshme e thani me letër kuzhine. Pasi t’i keni prerë, frutat duhen konsumuar menjëherë ose duhet të ruhen në frigorifer brenda dy orësh, në temperaturë më të ulët se 4 °C dhe të konsumohen brenda 3-4 ditësh.

Kur blini gjysma ose çerek fruti të gatshëm nga shitësit ambulantë, rreziku është më i madh, pasi ruhen në kushte të papërshtatshme.

Vetëm një hap i thjeshtë si larja, mund t’ju mbrojë nga helmimi i panevojshëm dhe kështu, shalqiri e pjepri vazhdojnë të mbeten sinonim i freskisë dhe verës, jo i shtratit dhe të përzierave!

Exit mobile version