Gjykatat kubane kanë dhënë dënime deri në 20 vjet burg për një grup njerëzish të akuzuar për pjesëmarrje në protestat që përfshiu ishullin në korrik, thanë të martën të afërmit dhe aktivistët, transmeton UBT News.
20 të pandehurit e dënuar në provincën lindore të Holguin u dënuan muajin e kaluar me akuza për kryengritje. Qindra njerëz të tjerë presin verdiktet pas gjykimit.
Mijëra njerëz dolën në rrugë në qytetet anembanë Kubës më 11 dhe 12 korrik – protestat më të mëdha në dekada në ishull – shumë të frustruar nga mungesat, pagat e ulëta dhe ndërprerjet e energjisë elektrike, si dhe nga qeveria socialiste.
“Kjo ishte e tmerrshme. … Njerëzit kanë qarë, [janë] të pangushëllueshëm atje”, tha Mailyn Rodríguez përmes telefonit duke shtuar se bashkëshorti i saj ishte dënuar me 20 vjet, pasi prokurorët kishin kërkuar një dënim me 30 vjet, përcjell UBT News.
“Kërkesat e prokurorisë ishin shumë të larta dhe dënimet ishin shumë të tmerrshme”, tha ajo.
Gjyqe të ngjashme u zhvilluan gjithashtu muajin e kaluar në provincat e Santa Clara dhe Mayabeque dhe në Havana, megjithëse ende nuk janë shpallur vendime atje.
Ndërsa shumica e protestuesve ishin paqësorë, disa vandalizuan ose plaçkitën automjete dhe dyqane dhe disa hodhën gurë ndaj policisë. Një person kishte humbur jetën në Havanë.
Një grup aktivistësh që ndjek rastet, shpërndau kopje të dënimeve, duke thënë se dënimet më të shkurtra të dhëna përfshinin pesë vjet liri të kufizuar, por jo burg.
Autoritetet kubane nuk kanë raportuar kurrë numrin e përgjithshëm të arrestimeve gjatë protestave, megjithëse Justice 11J dhe grupe të tjera kanë raportuar se ishin rreth 1,300 arrestime.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha muajin e kaluar se akuzat për rebelim kishin të bënin “me nivelin e dhunës së demonstruar”./UBTNews/