Dy muaj pas punës, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, po kritikohet pasi disa po e akuzojnë atë si “të padukshëm” sa i përket krizës në Ukrainë dhe pandemisë e koronavirusit, përcjell UBT News.
Scholz u betua si kancelar më 8 dhjetor pasi udhëhoqi socialdemokratët e tij (SPD) në një fitore të bujshme zgjedhore, duke i dhënë fund 16 viteve në pushtet për konservatorët e Angela Merkelit.
Por një sondazh i Forsa-s këtë javë tregoi se SPD qëndron pas CDU-CSU të Merkelit në sondazhe për herë të parë që nga zgjedhjet.
Në një sondazh të fundit nga transmetuesi publik ZDF mbi politikanët më të njohur të Gjermanisë, Scholz e gjeti veten prapa Merkelit – e cila është tërhequr nga politika – dhe prapa Ministrit të Shëndetësisë, Karl Lauterbach.
Scholz ka qenë prej kohësh i njohur për stilin e tij të komunikimit. Dikur ai u quajt “Scholzomat” për fjalimet e tij “të thata në mënyrë robotike”.
Merkel nuk ishte e njohur për praninë e saj në media ose për fjalime nxitëse, por Scholz “duket se dëshiron ta kapërcejë atë në artin e zhdukjes”, sipas të përjavshmes Der Spiegel, e cila e akuzoi atë si “pothuajse të padukshëm, të padëgjueshëm”.
“Mënyra se si kancelari flet dhe komunikon duket e papërshtatshme”, tha shkencëtarja politike, Ursula Muench, për AFP.
“Ai dëgjohet dhe shihet shumë pak, dhe kur flet, shpesh e bën këtë në gjëegjëza dhe jo në mënyrë të qartë dhe të theksuar siç kërkohet nga bota aktuale e medias”, tha ajo.
Ndonëse Scholz e ka zakon të falënderojë gazetarët për pyetjet e tyre në konferenca shtypi, ai shpesh shmang të përgjigjet drejtpërdrejt në pyetjet e tyre.
Sipas Muench, kancelari mund të jetë duke u përpjekur të krijojë një përshtypje të “profesionalizmit dhe seriozitetit” në një mjedis mediatik “ku të gjithë flasin dhe komentojnë për gjithçka”.
Ndërsa sipas shkencëtarit politik, Hajo Funke “t’u thuash njerëzve ‘ju mund të mbështeteni tek unë, unë jam me përvojë dhe e di se çfarë po bëj’ thjesht nuk mjafton në një pandemi ose një krizë ndërkombëtare”.
Stili i komunikimit i Scholz-it lë “shumë vend për përmirësim”, beson ai.
Gjermania kishte vaksinuar 75.8 për qind të popullsisë së saj kundër koronavirusit deri në fund të janarit, duke mos arritur objektivin prej 80 për qind të vendosur nga qeveria e Scholz.
Ndërkohë, numri i rasteve të Covid-19 është rritur në më shumë se 100,000 raste në ditë, me mungesën e testeve PCR që i shton problemet e vendit.
Ekonomia më e madhe e Evropës gjithashtu është vënë nën kritika për rolin e saj në krizën e Ukrainës, me disa që cilësojnë se Berlini po tregohet shumë i butë ndaj Moskës.
Ndryshe nga presidenti francez Emmanuel Macron, i cili ka pasur disa biseda telefonike me Vladimir Putin, dhe Boris Johnson i Britanisë i cili udhëtoi për në Kiev të martën, Scholz e ka ngatërruar përgjigjen e tij me deklarata të paqarta dhe pozicione të luhatshme.
Gjermania është kritikuar gjithashtu rreth refuzimit të saj për të dërguar armë në Ukrainë, megjithëse sugjeroi dërgimin e 5,000 helmetave në vend të tyre – “një fatkeqësi në aspektin e komunikimit”, sipas Muench./UBTNews/