Në mbledhjen e Komisionit për Siguri po diskutohet për vendimin e presidentes lidhur me kthimin në rishqyrtim të Ligjit për Këshillin e Sigurisë së Kosovës.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi Mehmeti, e cila ka qenë kryesuese e grupit punues tha se në takimet që janë mbajtur gjatë hartimit të këtij ligji nga sponsorizuesi, kanë qenë prezent përfaqësuesit e presidencës, e të cilët nuk kanë pasur vërejtje.
“Në ato vërejtje apo sugjerime thuhet qe ka shkelje të Kushtetutës së Kosovës për një nen të caktuar që e rregullon udhëheqjen në gjendje të jashtëzakonshme. Ne si grup i kemi shqyrtuar të gjitha arsyet që janë deri këtu, dje e kam thirrur sponsorizuesin e këtij ligji dhe i kam pyetur, nga sponsorizuesi më është thënë që në të gjitha takimet kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e presidencës“, tha ajo.
Ajo kërkoi një interpretim të Komisionit për Legjislacion, se si të procedohet më tej me Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani bazuar në kompetencat e saj kushtetuese, ka përdorur të drejtën e vetos, duke kthyer dy ligje për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës.
Sipas një komunikate të Presidencës, Ligji për Këshillin e Sigurisë është kthyer për shkak se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën.