Përfaqësuesit e MAShTI-it, DKA-së në Prishtinë, përfaqësuesit e ShFMU “Elena Gjika” dhe prindi i fëmijës sot janë takuar me qëllim të adresimit të rastit të nxënësit me autizëm, i cili nuk po vijonte procesin mësimor meqë ekipi vlerësues komunal, pas vlerësimit pedagogjik kishte rekomanduar që fëmija të vazhdojë shkollimin në qendër burimore për të cilën kishte refuzuar prindi.
Pas analizës se situatës dhe rrethanave të krijuara, është vendosur që fëmija të kthehet në shkollë, ndërsa shkolla duhet të vazhdojë procedurat e vlerësimit pedagogjik me instrumentet që janë në kompetencë të shkollës.
Më pas do të vijojë vlerësimi pedagogjik nga ekipi vlerësues pedagogjik komunal. Do të vazhdohet me procedura të vlerësimit për të vendosur për resurset dhe intervenimet pedagogjike që i nevojiten fëmijës.
Vlerësimi pedagogjik bëhet për t`i ofruar fëmijës resurse, mjete didaktike dhe përshtatje që janë në përputhje me nevojat individuale të fëmijës, andaj secili vendim që merret nga ekipet vlerësuese komunale duhet të ketë edhe mbështetjen e prindërve.