Është kthyer furnizimi i rregullt me energji elektrike. Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Ekonomisë (ME) përmes një komunikate për media, ku mes tjerash u tha se falë bahkëpunimit mes Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji.
“Duke u nisur nga situata botërore me krizën energjetike që ka prekur edhe rajonin, të gjitha institucionet përgjegjëse po punojnë intensivisht dhe në koordinim për sigurinë e furnizimit me energji elektrike.Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Korporatës Elektroenergjitike të Shqipërisë (KESH) është arritur që të evitohen reduktimet që nga ora 14:00 dhe të vazhdojë furnizimi i rregullt me energji elektrike.Institucionet do të vazhdojnë të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur furnizimin e rregullt me energji elektrike gjatë ditëve në vijim”, thuhet mes tjerash në komunikatën e ME-së.
ME-ja u ka bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve që të kursejnë energjinë elektrike./UBTNews/