Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, pas raportimeve se Thesarit të Shtetit i janë kthyer 1.1 milion nga 2.1 milionët e vjedhura, ka thënë se buxhetit të shtetit duhet e do t’i kthehet çdo cent.
Bajrami bëri thirrje që “hajnat le të kalben në burg”, teksa shtoi se ka besuar dhe vazhdon të besojë në organet e drejtësisë se do ta kryejnë punën deri në kthimin e çdo centi në Thesarin e Shtetit.
“Duhet të kthehen e do të kthehen çdo cent e euro të vjedhura në Buxhetin e Shtetit sikurse që janë kthyer 1.1 milionë e vjedhura nga Thesari. E hajnat le të kalben në BURG.
Kam besuar dhe besoj në organet e drejtësisë se do ta kryejnë punën deri në kthimin e çdo centi në Thesarin e Shtetit. Edhe sot dhe përgjithmonë do ta bëja të njëjtin veprim që kam bërë, duke i denoncuar HAJNAT që sot janë në burg. Dikush atëherë dhe ndërkohë e ka parë denoncimin tim si gabim dhe unë e kam pranuar këtë gabim. Prapë do ta bëja të njëjtin gabim dhe do të denoncoj kushdo që prek djersën e këtij populli”, shkruan Bajrami.
Kujtojmë se në tetor të vitit 2020, rreth 2.1 milionë euro janë bartur nga Ministria e Infrastrukturës te një kompani private nga një zyrtar i Departamentit të Thesarit.
Në lidhje me këtë, ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, pati deklaruar se në lidhje me rastin ishin suspenduar dy zyrtarë, ku njëri ishte arrestuar.