Kushtet në Afganistanin e kontrolluar nga talibanët do të jenë më të këqija në vitin e ardhshëm dhe shumë afganë do të luftojnë për mbijetesë, tha një zyrtar i lartë i Kryqit të Kuq.
Vendi është gati të përballet me dimrin e dytë qëkur e mori pushtetin grupi fetar në gusht të vitit 2021 – një ngjarje tronditëse që transformoi rrënjësisht Afganistanin, duke çuar miliona njerëz në varfëri dhe uri, ndërsa ndihma e huaj ndaloi pothuajse brenda natës.
“Vendi do të përballet me vështirësi ekonomike. Situata është shumë serioze dhe njerëzit do të luftojnë për jetën e tyre”, tha Martin Schüepp, drejtor i operacioneve në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ICRC, në një intervistë të dielën mbrëma.
Sanksionet ndaj sundimtarëve talibanë, ndalimi i transfertave bankare dhe miliarda të ngrira në rezervat valutore të Afganistanit kanë kufizuar tashmë qasjen në institucionet globale dhe paratë e jashtme që mbështetën ekonominë e vendit para tërheqjes së forcave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s./UBTNews/