UBT News

Kryqi i Kuq i Kinës do të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën

Kryqi i Kuq i Kinës do të ofrojë ndihmë humanitare për Ukrainën, konfirmoi ministri i Punëve të Jashtme, Wang Yi, ndërsa përsëriti thirrjen për vazhdimin e bisedimeve diplomatike. Ai theksoi se miqësia e Kinës me Rusinë është “e fuqishme” dhe perspektivat për bashkëpunim janë shumë të gjera.

Deklaratat e tij erdhën vetëm disa orë pasi kryeministri australian, Scott Morrison, i kërkoi Kinës ta dënojë Rusinë. Në një fjalim të gjatë për politikën e jashtme në Sydney, Morrison tha se Kina ka folur vazhdimisht për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial.

“I takon Kinës, në këtë pikë kyçe të historisë, të tregojë se këto janë më shumë se fjalë”, tha Morrison, duke shtuar se “asnjë vend nuk do të kishte ndikim më të madh në Rusi sesa Kina”.

Deri më tani, qeveria e Kinës as nuk e ka dënuar luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe madje është përmbajtur duke e cilësuar atë si “pushtim” në radhë të parë. Por në fillim të kësaj jave, Yi sinjalizoi se Kina është gati të luante një rol në ndërmjetësimin e armëpushimit./UBTNews/

Exit mobile version