UBT News

Kryeziu: Paraqitja e kryeministrit Kurti në Gjykatë nuk është standard i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu thotë se paraqitja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti në Gjykatë në rastin e kanosjes ndaj tij nuk është standard i dyfishtë në raport me ftesën nga Prokuroria Speciale.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar, ku Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani akuzohen për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. I pranishëm ka qenë edhe Kurti.

Klinaku dhe Selmani nuk e kanë pranuar fajësinë, duke thënë se nuk kanë kryer vepër penale, teksa Kurti nuk ka paraqitur kërkesë për dëmshpërblim.

Kryeziu përmes një postimi në rrjetin social, Facebook tha se Kurti nuk e ka refuzuar asnjëherë ftesën e Prokurorisë Speciale për të dëshmuar. Sipas tij, Kurti ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar duke kërkuar që intervista të zhvillohet në zyrën e tij.

Sa i përket ftesës së Prokurorisë Speciale, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar që të japë dëshminë e tij. Përkundrazi, ai ka shprehur gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe për të respektuar parimin e transparencës dhe llogaridhënies, duke kërkuar që intervistimi të zhvillohet në zyrën e tij, një praktikë kjo që ka ndodhur edhe më parë“, shkruan Kryeziu.

Kryeziu thotë se Kurti në Gjykatë sot u paraqit si palë e dëmtuar.

Ndërkaq në lidhje me rastin e kanosjes, zyrtarët hetues të autorizuar nga Prokuroria e kanë intervistuar kryeministrin Kurti pikërisht në zyrën e tij më 10 qershor 2025. Sot ai u paraqit në gjykatë si palë e dëmtuar“, thuhet ndër të tjerash në postimin e tij.

Kujtojmë se Prokuroria Speciale ka kërkuar që Kurti të paraqitet për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në rastin e rezervave shtetërore.

Kryeministri në detyrë, kishte insistuar që intervistimi të kryhet në objektin e Qeverisë së Kosovës, teksa për mos paraqitje në Prokurorinë Speciale, Kurti ka pranuar gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë./D.B/KP

Exit mobile version