Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i është përgjigjur deklaratave të zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano.
Stano në një konferencë për media të hënën tha se rezultatet e deritanishme në dialog nuk janë dështim i emisarit Miroslav Lajçak, por i Kosovës dhe Serbisë.
Derisa Kryeziu përmes një postimi në Twitter tha se mungesa e progresit është shkaku i shkeljes së marrëveshjes nga ana e Serbisë.
“Është një zhvillim i dukshëm që BE-ja pranon se procesi i dialogut nuk ka ecur mirë. Megjithatë, mungesa e progresit nuk është për shkak të të dyja palëve. Këtu është një listë e shkeljeve nga Serbia të Marrëveshjes Themelore, vetëm 2 javë pasi tha PO, në shkurt 2023”, ka shkruar ai.
Ndryshe Stano në një konferencë për media theksoi se emisari Lajçak dhe përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kanë përkrahjen e plotë të shteteve anëtare sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.