Kryetarja e Përgjithshme e OSBE-së, njëherit ministre e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde gjatë ditës sotme po qëndron në Kosovë. Përmes një konference për medie, ajo tha se qëllimi i vizitës është fuqizimi i grave, paqes dhe sigurisë në vend, derisa e mirëpriti miratimin e Konventës së Stambollit në Kosovë.
Megjithëse Kosova nuk është anëtare e OSBE-së, kryedipolamtja suedeze vlerësoi se ka një bashkëpunim të mirë ndërmjet Kosovës dhe OSBE-së. Ndërkohë, tha se ka efekte pozitive në dialogun Kosovë-Serbi, por palët duhet të jenë konstruktive për t’i adresuar problemet afatgjata.
“Si organizatë ne jemi neutrale ndaj statusit, këtu po flas si kryesuese në detyrë e OSBE-së. Si ministre e jashtme të Suedisë ju e dini që ne e kemi njohur Kosovën që një kohë të gjatë, e shihni jam këtu në dy role të ndryshme. OSBE vazhdimisht është përpjekur të kërkojë pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ekspertëve nga institucioneve të Kosovës në takimet e OSBE-së dhe ia ka dalë të mundësojë këtë pjesëmarrje në shumë raste. Mendoj se bashkëpunimi konstruktiv është kyç në këtë aspekt. Kur është fjala për procesin aktual të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është proces i dialogut i lehtësuar nga BE dhe mendoj se ka mundësi të adresojë problemet afatgjate dhe kontribuoj në stabilitetin e përgjithshëm të rajonit. OSBE e ka mbështetur zbatimin e marrëveshjeve në fushat të cilat janë në mandatin e OSBE-së për t’u marrë me to. Unë vazhdojë të besoj fuqishëm se ka efekte pozitive në këtë dialog dhe shpresoj të vazhdojë të jetë konstruktiv”, tha ajo.
Vizitën e saj në Kosovë, Linde e quajti si demonstrim për rëndësinë që OSBE i jep bashkëpunimit me Kosovën.
“Vizita ime, po ashtu demonstron rëndësinë që OSBE ia jep bashkëpunimit me Kosovën. Në këtë aspekt dua të vlerësojë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovën për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me misionin e OSBE në Kosovë. OSBE mbetet e përkushtuar të mbështes institucionet tuaja në bazë të partneritetit tonë të fuqishëm. Gjatë kësaj vizite, po ashtu do të kem privilegjin të vizitoj projektet në teren të OSBE-së në Kosovë”, shtoi ajo.
Pjesë e kësaj vizite është edhe ndihmës Sekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara njëkohësisht dhe zëvendësdrejtoresha Ekzekutive e UN Women, Asa Regner, e cila tha se gjatë ditës kanë takuar gra nga shoqëria civile dhe se kërkesa e tyre është shtyrja përpara e agjendës për barazi gjinore dhe pjesëmarrje të grave në vendimmarrje.
“Kërkuan zbatimin e rezolutës dhe për më shumë pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje, të gjitha vendimet që lidhen me paqen dhe proceset e paqes. Si dhe për përfaqësimin e grave në politikë. Çështje tjera që kanë të bëjnë me agjendat për barazi gjinore, siç janë të drejtat ekonomike të grave, pjesëmarrja në tregun e punës si dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe partnerët që ata jetojnë”, tha ajo.
Gjatë vizitës në Kosovë, dy diplomatet do të takohen edhe me krerët institucional në vend.