Zyrtarët policorë të bllokuar në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak rrezikohen nga përhapja e ndonjë pandemie, deklaroi kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri. Ai shtoi se kanë kërkuar që të bëhet e pamundura që zyrtarët policorë që janë në ato dy lokacione të ndërrohen.
“Përmes mediave kemi kërkuar që të bëjnë të pamundurën që sa më shpejt të bëhet ndërrimi i zyrtarëve policorë që i kemi në ato dy lokacione”, theksoi Zeqiri.
“Policët ndër të tjera në ambientin në të cilin jetojnë dhe në kushtet të cilat janë duke mbijetuar domethënë e kanë të rrezikuar shëndetin dhe jetën nga ndonjë sëmundje apo pandemi, përkundër që mund të kenë edhe rreziqe të tjera”, tha kryetari i Sindikatës.
Zeqiri mosndërrimin e zyrtarëve e quan skandaloze duke thënë se duhet të bashkrendojnë të gjitha organet shtetërorë dhe ndërkombëtare që ky proces të ndodhë.
“Po e shfrytëzoj edhe mediumin tuaj që t’iu bëjë thirrje organeve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe ndërkombëtarëve që të bashkërendojnë veprimet e tyre dhe që sa më parë të bëjnë ndërrimin e zyrtarëve policorë, të bëjnë ndërrime të rregullta, definitivisht kjo është jo vetëm e papranueshme po është një diçka, skandaloze me një fjalë”, shtoi tutje ai.
Mirëpo ai shtoi se përkundër të gjithave ai sheh një vullnet dhe motiv në maksimum të kolegëve që t’i kryejnë detyrat e tyre.
“Domethënë jemi në kontakt me zyrtarët policorë që janë edhe në Leposaviq dhe Jarinjë domethënë janë këto dy lokacione që 10 ditë nuk është bërë ndërrimi i tyre dhe kushtet e tyre ta them kështu që morali dhe vullneti i të gjithë kolegëve është në maksimum”, deklaroi ai tutje.