Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, iu është drejtuar Kuvendit të Kosovës, për t’ia bërë me dije fillimin e peticionit për ndryshimin e ligjit për skema pensionale, për shkak se sipas tij po mohohen të drejtat e fituara të punëtorëve të arsimit.
“Kemi ardhë në përfundim të fillojmë me një nismë qytetare për mbledhjen e nënshkrimeve nga anëtarësia jonë, por edhe nga qytetarët. Do t’i drejtohem Parlamentit të Kosovës që të ndryshojë pjesën e ligjit për skemat pensionale, ngase me ndryshimet e bëra kohëve të fundit janë mohuar të drejtat e fituara të punëtorit të arsimit dhe jo vetëm”, ka thënë Jashari.
Jashari, ka kërkuar që t’i kthehet e drejta punëtorëve të arsimit e viteve të 90-ta.
“T’i kthehet e drejta që u kishte dhënë vet Paralemnti punëtorëve të arsimit viteve të 90-ta që vitet e 90-ta të jenë vite kontributdhënëse për t’iu ndihmuar që të marrin pensionin e plotë. Si shtesë e kësaj është edhe kërkesa që nga viti 99-të deri kur filloi së vepruari Trusti pensional, tre vite e gjysmë që konsiderohen vite kontribut dhënëse”, ka shtuar Jashari.