UBT News

Kryetari i KNSH-së, reagon ndaj vendimeve të ministrisë serbe: “Sulm i hapur ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka reaguar ashpër ndaj vendimeve të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Dialogut Social të Serbisë, të cilat ai i ka cilësuar si një sulm të hapur dhe diskriminues ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ai vlerësoi se këto vendime janë një përpjekje për të bllokuar zhvillimin ekonomik të shqiptarëve dhe për të shkatërruar autonominë institucionale të këtij komuniteti në Serbi.

“Ministria serbe ka shfuqizuar vendimin legjitim të Këshillit Kombëtar Shqiptar për subvencionimin e fermerëve shqiptarë, një vendim që synonte të ndihmonte bujqësinë, një sektor që është lënë pas dore nga shteti serb. Ky veprim është një bllokadë e qëllimshme që ka për qëllim të mbajë shqiptarët të varfër dhe të izoluar”, shkruan Rexhepi.

Ai shtoi se ndihma nga Qeveria e Kosovës ishte një mundësi për të përmirësuar kushte jetese dhe për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të shqiptarëve në Luginë. Rexhepi theksoi gjithashtu se veprimi i Ministrisë serbe nuk ka asnjë bazë ligjore dhe është motivuar politikisht, me qëllim pengimin e çdo mundësie për zhvillim dhe përfitim të shqiptarëve.

Kryetari Rexhepi, gjithashtu, i referohet refuzimit të regjistrimit të zgjedhjes së tij si kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, një veprim tjetër që ai e sheh si një sabotim të autonomisë institucionale. “Përdorimi i teknikaliteteve burokratike për të delegjitimuar procesin e zgjedhjeve është një alibi politike, për të paralizuar funksionimin e institucioneve shqiptare dhe për të mohuar shqiptarëve të drejtën për të udhëhequr dhe përfaqësuar veten“, theksoi ai.

Rexhepi nënvizoi se këto veprime janë pjesë e një strategjie më të gjerë të shtetit serb për të penguar zhvillimin dhe përfaqësimin e shqiptarëve, duke përdorur masa diskriminuese si pasivizimi i adresave, ndalimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe marginalizimin ekonomik.

Në fund, ai paralajmëroi se Këshilli Kombëtar Shqiptar do të ndërmarrë masa ligjore dhe diplomatike për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. “Ne do të kërkojmë ndërhyrjen e institucioneve ndërkombëtare dhe do të ndjekim rrugët ligjore për të shfuqizuar këto vendime arbitrare dhe diskriminuese”, tha Rexhepi.

Ai siguroi se shqiptarët e Luginës do të vazhdojnë të luftojnë për të drejtat e tyre dhe për një të ardhme më të barabartë dhe më të zhvilluar./UBTNews/

Exit mobile version