Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj ka mohuar se kjo komunë ka marrë vendim për shkurtimin e orarit të punës për të gjithë zyrtarët që agjërojnë muajin e Ramazanit.
Gjatë ditës mediat lokale në këtë komunë kanë raportuar se komuna e Kamenicës ka shkurtuar orarin e punës për stafin e saj që agjërojnë.
Rahimaj për KosovaPress ka thënë se asnjë vendim Zyra e Kryetarit për këtë çështje nuk e ka marrë. I njëjti shtoi se derisa nuk ka vendim për këtë çështje orari duhet respektuar.
Ndërkaq, së fundmi një vendim të tillë për shkurtimin e orarit të punës për zyrtarët që agjërojnë muajin Ramazan, ka marrë komuna e Gjilanit.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka nxjerrë vendim që për muajin e Ramazanit, të gjithë zyrtarët që agjërojnë të punojnë një orë më pak.
Më vendimin e nxjerrë më 23 mars, Hyseni i ka obliguar drejtoritë që të mbajnë evidencë për stafin që agjërojnë.
Sipas vendimit, orari i punës do të filloj prej orës 9:00 dhe do të zgjas deri në orën 16:00.
Vendimi ka hyrë në fuqi nga data 24, dhe do të jetë në fuqi deri më datën 20 prill.
Për vendimin e marrë nga ana e kryetarit të Gjilanit, ka pasur reagime nga shoqëria civile.