UBT News

Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj viziton UBT-në

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i shoqëruar nga Dekani i Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Prof. Besnik Qehaja dhe Drejtori i Institutit për Studime Urbane në UBT, Shqiprim Ahmeti, kanë pritur në takim pune kryetarin e Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj dhe drejtoreshën për Ekonomi, Zhvillim dhe Diasporë, Burbuqe Leka.

Në fokus të diskutimeve ka qenë elaborimi i mundësive për bashkëpunim të dyanshëm për hartimin e politikave dhe projekteve për zhvillim të qëndrueshëm të Komunës së Kamenicës.

Ky bashkëpunim do të mund të bazohet në shfrytëzimin e potencialit dhe resurset humane, profesionale e intelektuale të UBT-së për gjenerimin e ideve dhe zgjidhjeve për problemet dhe sfidat e përditshme të qytetarëve të Kamenicës, duke shfrytëzuar potencialin real zhvillimor që ka komuna.

Temë tjetër boshte e takimit ishte rëndësia e bashkëpunimit mes akademisë/universiteteve dhe pushtetit lokal, si dhe impakti konkret i këtij bashkëpunimi për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritjes së cilësisë së jetesës në përgjithësi.

Në takim u diskutua po ashtu nevoja dhe mundësitë reale të digjitalizimi të shërbimeve dhe sektorëve, si: arsimi e shëndetësia, mbrojtja e mjedisit, zhvillimi i sektorit të ICT-së, inovacionit dhe përkrahja e krijimit të ndërmarrjeve të reja Start-Up, promovimi i trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm, etj.

Rektori Hajrizi dhe kryetari Rahimaj u pajtuan për vazhdimin e komunikimit ndër-institucional për t’i hapur rrugë shfrytëzimit të potencialit njerëzor e intelektual të dyanshëm, ndërsa Rektori Hajrizi shprehi edhe një herë gatishmërinë e UBT-së që me kapacitetet, resurset dhe infrastrukturën e vet të ndihmojë Komunën e Kamenicës në implementimin e agjendës së saj për zhvillim të qëndrueshëm të bazuar në shfrytëzimin racional e efiçient të resurseve dhe potencialit të saj zhvillimor.

Exit mobile version