Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni sot ka kërkuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi nisjen e procedurave për shpërbërjen e Kuvendit Komunal të kësaj komune.
Hyseni në një postim në Facebook, ka njoftuar se arsyeja kryesore e kësaj kërkese është mospërmbushja e detyrave dhe obligimeve nga Kuvendi Komunal, veçanërisht për mosvotimin e buxhetit 2025 sipas afateve ligjore.
“I nderuar Ministër, tanimë kemi kaluar afatet ligjore për votimin e buxhetit. Duke e parë që Kuvendi Komunal, nuk po arrin të përmbushë detyrat dhe obligimet e tij ligjore, kërkojmë nga ju që duke u bazuar në Ligjin për Vetqeverisje Lokale, nenin 50 dhe pikën c, për arsye të mosvotimit të buxhetit sipas afatit ligjor, të filloni procedurën e shpërbërjes së Kuvendit Komunal”, ka shkruar Hyseni në Facebook.