UBT News

Kryetari i Bordit të RTK-së: Shkurtimi i buxhetit bëri që të mos planifikohet shlyerja e të gjitha borxheve të vjetra

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini gjatë raportimit në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere theksoi se për shkak të shkurtimit të buxhetit për transmetuesin publik në vlerë mbi 2 milionë euro nuk është planifikuar shlyerja e të gjitha borxheve të vjetra në këtë medium.

Megjithëse, kryetari Boletini paralajmëroi se borxhet e shkaktuara në RTK në mënyrë abuzive me produksionet e jashtme do t’i adresojnë në institucionet e drejtësisë.

“Marrëveshjet në tavolinë, pa konkurs për produksione të jashtme kanë shkaktuar rritje të borxheve në mënyrë abuzive. Konsiderojmë se ka pasur keqpërdorime në këtë aspekt”, tha ai.

Prandaj, Boletini tha se të gjitha marrëveshjet me produksionet e jashtme do të bëhen me konkurs.

Nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku tha se është shqetësuese mospërfshirja e shlyerjes së borxheve nga RTK-ja.

Sipas tij, mospërfshirja e borxheve, mund të krijojë pasoja për RTK-në nga procesi përmbarimor.

Borxhi aktual i papërfshirë në projeksionin e Buxhetit për vitin 2022 në RTK është rreth 1.6 milionë euro.

Sa i përket numrit të madh të redaktorëve në RTK, Boletini ka përmendur edhe numrin e redaktorëve dhe gazetarëve në Radio Kosova, ku sipas tij, në këtë radio janë të punësuar 40 redaktorë e 39 gazetarë, ose siç tha ai, numri i përgjithshëm i redaktorëve në RTK arrin në 120, ndërkaq i gazetarëve rreth 100.

Drejtues të RTK-së u deklaruan edhe për rastin e kontratës me kompaninë “Pastimi” pa shkronjën “R”, dhe dëmin e shkaktuar në vlerë prej 472 mijë euro. Sipas tyre për këtë rast ka përfunduar procesi gjyqësor, dhe gjykata ka vendosur që t’i kthehen mjetet RTK-së.

Exit mobile version