Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja me bashkëpunëtorë, vizitoi Parkun Shkencor dhe Inovativ të UBT-së, ku u prit nga rektori, prof.dr.Edmond Hajrizi.
Kreu i Bashkisë së Elbasanit u njoh me infrastrukturën moderne të këtij parku shkencor, me secilin komponent të ekosistemit të krijuar përbrenda UBT-së, ku krahas studimeve në fusha të ndryshme, studentëve u ofrohet edhe puna praktike si dhe përfshirje në procese prodhuese duke përdorur makineritë më moderne brenda parkut, që nga fusha e agronomisë (Kopshtit Botanik) e deri tek fushat e teknologjisë dhe inovacionit (robotëve e inovacioneve të reja), si produkte finale të cikleve të ndryshme studimore.
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi dhe kryetari i Elbasanit, Gledian Llatja, gjatë këtij takimi u dakorduan që të bashkëpunojnë në projekte të ndryshme me interes për të dyja palët.
Rektori Hajrizi e konsideron si të domosdoshme ndërlidhjen e studimeve me ekonominë dhe industrinë, në mënyrë që ata që përfundojnë studimet në UBT të përfshihen menjëherë në tregun e punës. Dhe ky bashkëdyzim i studimeve me punën praktike dhe prodhimin që aplikohet tash sa vjet në UBT, sipas rektorit Hajrizi ka dhënë rezultate impresive.
Delegacioni nga Bashkia e Elbasanit vizituan edhe Qendrën 5G, Qendrën e Realitetit Virtual dhe të Shtuar – EON Reality, Augmented and Virtual Center, laboratorin e mekatronikës, si dhe laboratorë të tjerë inovativ të UBT-së, duke vlerësuar lartë UBT-në për arritjet e saj, e duke e veçuar me këtë rast si arritje “Korça Innovation & Technology Hub”, qendrën më të madhe të teknologjisë dhe inovacionit në Shqipëri, që menaxhohet nga UBT.