Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja, Saranda Bogujevci, deputetja Fitore Pacolli Dalipi dhe ambasadori Ilir Kapiti, ka pritur sot në takim një delegacion nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar, kryesuar nga deputetja Harriett Baldëin, thuhet në komunikatën dërguar mediave.
Në takim, ndër të tjera, u diskutua për zhvillimet politike, mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit, si dhe për avancimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Kryetari Konjufca, pasi i njoftoi deputetët britanikë me rrjedhat e punës së legjislativit dhe trupave të tij, vlerësoi lart mbështetjen koherente të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën në të gjitha fazat vendimtare të shtetndërtimit dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar, duke theksuar rolin e veçantë të këtij shteti mik për lirinë, pavarësinë dhe rimëkëmbjen e shtetit tonë. Kreu i Kuvendit po ashtu kërkoi përkrahjen e mëtejme të Mbretërisë së Bashkuar për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.
Bëhet e ditur se deputetët e parlamentit britanik, të cilët po qëndrojnë për vizitë zyrtare në Kosovë, falënderuan kryetarin Konjufca për pritjen dhe shprehën përkushtimin për intensifikimin e bashkëpunimit në sektorë dhe fusha specifike, përfshirë edhe këmbimin e praktikave të mira mes parlamenteve respektive.