Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, bashkë me kryetarin e Skenderajt Fadil Nura, kanë bërë homazhe tekë varrezat e heronjve Azem e Shotë Galica, me rastin e 100 vjetorit të rezistencës në Arbërinë e Vogël, të udhëhequr nga ta.
Kryetari Idrizi ka thënë se duke marr parasysh betejën që është zhvilluar në këtë zonë, Arbëria e Vogël është thelbi i një Shqipërie etnike. Ai ka shtuar se gjithë shqiptaria ndihet krenar për këto figura të mëdha kombëtare që kanë kontribuar në lirinë që sot Kosova e gëzon.
“Sot jemi për të bërë homazhe te kryetrimi Azem Galica, në rastin e 100 vjetorit të betejës, jemi në këtë zonë ne Arbërinë e Vogël, ku është zhvilluar beteja. Çfarë e bënë të veçantë janë këto tri fshatrat, Galica, Lubovëci dhe Mikoshnica. Do të bëjmë homazhe edhe tek lapidari në Lubovec dhe vazhdojmë me aktivitete tjera të ditës. Besoj që jo vetëm unë por të gjithë shqiptarët ndihen krenar, sepse Arbëria e Vogël është thelbi i një Shqipërie etnike dhe gjithsesi se këto figura kombëtare siç janë Shota dhe Azem Galica, duhet të përkujtuar sepse kanë qenë të lirisë që ne sot e gëzojmë në Republikën e Kosovës”, tha Idrizi.
Përveç kësaj, kryetaret vizituan edhe lapidarin e heroit Xheladin dhe Lah Luboveci si dhe Kullën e Halit Bajrami ku ishte rrezuar tre herë dhe tre herë ishte ndërtua në kohën e rezistencës në Arbërinë e Vogël.
Për të shënuar 100-vjetorin e rezistencës në Arbërinë e Vogël, për tri ditë me radhë do të ketë aktivitete të ndryshme, të organizuara nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.