Kryetari i Komunës së Mitrovicës veriore, Erden Atiq dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci kanë biseduar sot për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në komunat në veri të vendit.
Ishte Atiq që njoftoi se ka pritur në një takim të parin e Zveçanit, Ilir Peci.
“Z. Ilir Peci e urova për mandatin në krye të Zveçanit dhe i urova punë të mbarë. Së bashku diskutuam për sfidat dhe problematikat me të cilat përballen qytetarët e komunave tona dhe biseduam për zgjidhjet për ato probleme. Në këto komuna nuk është menduar asnjëherë për qytetarin dhe se janë lënë shumë mbrapa shërbimet publike”, ka shkruar ai.
Atiq ka theksuar se komunat në veri të vendit, të cilat tashmë kanë kryetarë shqiptarë, do të bëhen të qytetarëve dhe do të jenë vende të banueshme ku normalisht do të zhvillohet jeta sikur në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.