UBT News

Kryesuesja e OSBE-së: Procesi i formimit të Kuvendit të vazhdojë në përputhje me Kushtetutën

Kryesuesja e OSBE-së, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, ka thënë se shpreson që procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës të vazhdojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, raporton KosovaPress.

Ajo gjatë vizitës zyrtare të martën në Kosovë tha se forcimi i marrëdhënieve ndër-komunitare në Kosovë mbetet i rëndësishëm për OSBE-në.

Kosova s’ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, ku ua ndalon deputetëve çfarëdo veprimi, si dhe pezullon afatet ligjore për formimin e qeverisë, pas ankesës së Listës Serbe, ku kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, mbylli seancën konstituive pa u zgjedhur edhe nënkryetari i legjislativit nga radhët e komunitetit serb.

Diplomatja finlandeze, në konferencë për media tha se mirëpret zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri si dhe shpreson që së shpejti të formohet ekzekutivi për të vazhduar bashkëpunimin e ndërsjellët.

Mirëpres zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit. Shpreh gjithashtu shpresën që procesi i formimit të Kuvendit të vazhdojë në përputhje me Kushtetutën dhe që së shpejti të shohim një qeveri të re, me të cilën presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë”, tha ajo.

Ajo gjatë ditës është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani, derisau pyet se pse nuk e ka takuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në objekt të qeverisë, si dhe homologen e saj, Donika Gërvalla, ajo hezitoi të flasë, por tha se duhet të ketë një zgjidhje për ngërçin politik të krijuar në Kosovë dhe të ecet tutje.

“Le të them kështu. Shpresojmë fuqimisht që shumë shpejt do të ketë një zgjidhje për ngërçin që lidhet me Kuvendin dhe Qeverinë”, theksoi diplomatja finlandeze.

Kryesuesja e OSBE-së përmendi edhe nevojën e zbatimit të marrëveshjeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Forcimi i marrëdhënieve ndër-komunitare mbetet i rëndësishëm dhe ka qenë prej kohësh një fushë kyçe e angazhimit për misionin e OSBE-së në Kosovë. Me emërimin e një Përfaqësuesi të ri Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë, riafirmimi i angazhimit për dialogun dhe avancimi i zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese është thelbësor për të siguruar progres. OSBE-ja mbetet e gatshme të mbështesë këto përpjekje, pasi misioni këtu ka potencial për kontribute të mëtejshme në përputhje me mandatet e tij”, theksoi ajo.

Krahas presidentes Vjosa Osmani, kryesuesja e OSBE-së paraditen e së martës u takua edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, ku tha se kanë diskutuar për qeverisjen e mirë, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve.

Në anën tjetër, në njoftimin e Zyrës së Presidentit, u tha se presidentja Osmani ia ka ritheksuar kryesueses së OSBE-së përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe të drejtave të njeriut./D.B/KP

Exit mobile version