UBT News

Kryesuesi i seancës konstituive i thërret përfaqësuesit e partive politike për konsultime

Në nisje të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nga Lëvizja Vetëvendosje, ftoi përfaqësuesit e partive politike për konsultime.

Ai tha se këto konsultime janë të nevojshme në mënyrë që “të mos bëjmë shkelje procedurale, ligjore dhe kushtetuese”.

Kuvendi i Kosovës sot vazhdoi seancën konstituive, që u ndërpre më 15 prill.

Të martën, deputetët dështuan të miratonin pikën e parë, atë të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumeve.

PDK, LDK dhe AAK votuan kundër raportit, duke argumentuar se anëtarët e Qeverisë në detyrë, që janë zgjedhur deputetë, është dashur që më herët të japin dorëheqje.

Këto parti insistojnë që anëtarët e kabinetit qeverisës, që kanë dhënë dorëheqje, nuk mund të vazhdojnë punën në ekzekutiv.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilëson si të pakuptimtë kërkesën për dorëheqje, pasi argumenton se Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi.

Exit mobile version