Asnjë fije drite nuk hyn në zyrën e kreut të spiunazhit ushtarak të Ukrainës, gjeneral-lejtënant Kyrylo Budanov. Muret janë të fortifikuara, dritaret të përforcuara me thasë rëre dhe perdet të ulura. Kur Budanov, 38 vjeç, mbërriti për një intervistë për Financial Times, duke hyrë në një portë e stolisur me një ikonë fetare, ai menjëherë urdhëroi një ndihmës të fikte dritat. “Më pëlqen errësira”, tha ai.
Si kreu i Njësisë Kryesore të Inteligjencës të ministrisë së mbrojtjes, Budanov ka organizuar luftën e fshehtë të Ukrainës kundër Rusisë, duke u bërë një nga figurat më të rëndësishme në luftën e Kievit. I mbijetuari i 10 atentateve të njohura, ai jeton pak a shumë vazhdimisht në një zyrë në periferi të kryeqytetit. Ajo është e dekoruar me simbole patriotike dhe memorialë të luftës në mure dhe një bretkosë pranë tavolinës së tij.
Të besuarit e Budanov po kryejnë sulme prapa linjave të armikut në territorin e pushtuar nga Rusia, por edhe në vetë territorin rus. Por shefi i spiunazhit rrallë merr meritat për këto aksione, duke e mbajtur Moskën dhe pjesën tjetër të botës të hamendësojnë për shtrirjen dhe aftësitë e drejtorisë së tij.
Në bëmat e fundit të departamentit të tij këtë javë, ishte fluturimi i një droni deri në Shën Petersburg, duke goditur një terminal nafte dhe tentativa për të goditur një fabrikë baruti dhe një depo nafte në rajonin Bryansk, në veri të kufirit me Ukrainën. Taktikat e pacipa shpesh kanë acaruar edhe mbështetësit perëndimorë të Ukrainës. Disa kanë frikë kjo se do të provokojë një përgjigje brutale dhe ndoshta edhe bërthamore nga presidenti rus Vladimir Putin. Shefi i spiunazhit ukrainas nuk preket nga shqetësime të tilla dhe zotohet të vazhdojë të operojë thellë brenda Rusisë për të sabotuar makinën e luftës së Putinit.
“Ne nuk parashikojmë ndonjë ndryshim drastik në të ardhmen e afërt. Gjithçka që kemi bërë, do të vazhdojmë ta bëjmë”, tha Budanov.
Ai e di se ky do të jetë një vit sprovues për Ukrainën, tashmë duke luftuar Rusinë për më shumë se një dekadë që kur ushtarët e Kremlinit, pa uniforma u shfaqën në Krime dhe në rajonin lindor të Ukrainës në Donbas.
“Të thuash se gjithçka është në rregull nuk është e vërtetë. Të thuash se ishte katastrofë nuk është gjithashtu e vërtetë”, thotë Budanov kur u pyet për kundërsulmin e shumëpërfolur të Ukrainës vitin e kaluar që dështoi në arritjen e objektivave të saj.
Ukraina do të arrijë ende ta mbajë Putinin larg, parashikon ai, dhe tashmë ka vërtetuar se “e gjithë legjenda e fuqisë [Rusisë] është një flluskë sapuni”. Si ish-ushtar i forcave speciale që luftoi në Donbas në vitin 2014, Budanov ka marrë pjesë vetë në misione sekrete, duke përfshirë gadishullin e okupuar të Krimesë. Në trup ka ende plagët nga copat nga një mine që i shpërtheu pranë dhe që për pak sa nuk e vrau pasi theu edhe qafën edhe shpinën ndërsa është qëlluar edhe në një krah.
Ai u emërua drejtor i GUR nga Presidenti Volodymyr Zelenskyy në vitin 2020. Kremlini fajësoi GUR edhe për një shpërthim në urën e Krimesë në tetor 2022. Këto e kanë rigjallëruar agjencinë, e cila prej kohësh luante në prapaskenë për sigurinë e brendshme të Ukrainës. Për këtë Budanov gëzon një status thuajse kult mes ukrainasve, të cilët shpërndajnë meme në mediat sociale kur pajisjet ushtarake shpërthejnë në Rusi ose në zonat e kontrolluara nga Rusia.
Por kjo ka edhe një kosto. Kur shefi i GUR del jashtë, ai lëviz me një rreth truprojash dhe agjentësh të inteligjencës. Nga shumë tentativa për vrasje kundër tij, të cilat ai i përshkruan si “asgjë e veçantë”, goditja më e afërt erdhi në vitin 2019, kur një bombë e vendosur poshtë automjetit të tij shpërtheu para kohe. Ai shpëtoi i padëmtuar. Duke iu kthyer prodhimit të armëve, Budanov tha se Rusia po humbet më shumë armë dhe municione sesa mund të bënte, ndërkohë që po lufton me kontrollin e cilësisë.
“Kjo është pikërisht ajo që shpjegon kërkimin e Rusisë për armë në vende të tjera”, tha ai.
Koreja e Veriut është aktualisht furnizuesi më i madh i armëve i Rusisë, tha Budanov.
“Ata transferuan një sasi të konsiderueshme municionesh artilerie. Kjo e lejoi Rusinë të marrë pak frymë. Pa ndihmën e tyre, situata do të ishte katastrofike”, tha ai. Por Rusia nuk do të preferonte të mbështetej në ndihma nga jashtë.
“Kjo është konsideruar gjithmonë një poshtërim”, shpjegoi Budanov.
Një sfidë tjetër me të cilën përballet Rusia është fuqia punëtore. Moska po humb aq ose më shumë trupa sesa mund të rekrutojë, sipas Budanov. Ndihmësi i tij, Vadym Skibitskyi, tha këtë javë se rreth 1 mijë deri në 1100 njerëz i bashkohen ushtrisë ruse çdo ditë, përmes mobilizimit ose vullnetarisht. Aty ku mobilizimi dështon, grupet mercenare ndihmojnë në plotësimin e grupeve tha Budanov, duke përmendur grupin Wagner, të themeluar nga furnizuesi i ndjerë rus i kthyer në kryekomandant të luftës Yevgeny Prigozhin.
“Wagner ekziston”, thotë Budanov, duke hedhur poshtë raportet se ai ishte çmontuar. “Dhe duke folur për Prigozhin, nuk do të isha aq i shpejtë me përfundime”, tha ai duke iu referuar vdekjes së raportuar të kryekomandantit në një aksident avioni vitin e kaluar, një vrasje që perëndimi beson se ishte urdhëruar nga Putini. Kremlini mohoi përfshirjen dhe tha se ADN-ja vërtetoi se Prigozhin vdiq. Por trupi i tij nuk u pa kurrë publikisht.
“Unë nuk po them se ai nuk ka vdekur apo se ka vdekur. Unë po them se nuk ka asnjë provë të vetme që ai ka vdekur”, tha Budanov.
Një tjetër hobi i preferuar i Budanov është shëndeti i Putinit. Në të kaluarën ai ka pretenduar se presidenti i Rusisë ka kancer dhe Budanov këmbëngul se sheh rregullisht “klone” të Putinit në televizion.
I pyetur për prova, Budanov tha se analistët e tij studiojnë “fizionominë” e Putinit, lobet e veshit, distancën mes vetullave, e kështu me radhë.
“Nuk është aq e vështirë. Këtë mund ta bësh lehtësisht vetë”, shtoi ai, duke ngritur supet sikur të sugjeronte se të ngjashmit ishin një mashtrim i dukshëm.
Në fund, duke iu rikthyer temës së luftës, Budanov nuk pranon të bëjë ndonjë parashikim të guximshëm për vitin 2024.
“Jo. Shpresoj që suksesi ynë të jetë më i madh se i tyre”, tha ai duke dalë nga dhoma e errësuar./Lapsi.al