UBT News

Kryesia vendos për tri seanca

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës të mbahet më 22 qershor, 23 qershor, si dhe 27 qershor.

Pas mbledhjes së kryesisë, Mimoza Kusari-Lila, shefe e grupit parlamentar të LVV-së, ka thënë se javën e ardhshme mbahen gjithsej tri seanca në kuadër të atyre që kanë mbetur në gjysmë.

Kusari-Lila ka folur edhe rreth një marrëveshje që do të nënshkruhet këtë javë me Serbinë për energjinë e që sipas saj është vetëm një implementim i vitit të mëhershëm dhe se përbën çështjen e fillimit të faturimit për katër komunat veriore të Kosovës.

“Në ditët dhe javët në vijim të mbahen tri seanca, fillimisht më datën 22 qershor, ditën e mërkurë të vazhdon seanca e mbetur në gjysmë e datës 16 qershor apo e ndërprerë që në fillim të saj, me të gjitha pikat e rendit të ditës, të cilat kanë qenë për t’u shqyrtuar, ndërsa sipas votimit javë më parë mbi projektligjin për ndarje buxhetore, seanca e datës 23 qershor do të ketë një pikë gjegjësisht shqyrtimin në lexim të dytë të projektligjit për ndarje buxhetore, ditë e enjte dhe pastaj dhe do të vazhdohet me shqyrtimin e pikave potencialisht të mbetura nga dita e mërkure apo nga data 22 qershor. Sot kryesia e kuvendit është dakorduar që seanca e re me një agjendë të re të jetë një javë nga dita e sotme, konkretisht më 27 qershor ditën e hënë në seancën e re, të ditës së hënë një javë nga dita e sotme do të kemi leximin në shqyrtim të dytë të projekt ligjit për agjencinë për parandalimin e korrupsionit, shqyrtimin në lexim të dytë të projekt ligjit për deklarimin prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave, shqyrtimin e raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2021, si dhe pikat e zakonshme të rendit të ditës”, tha Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka thënë se në këtë mbledhje të kryesisë është diskutuar edhe për zbatimin e një marrëveshje të mundshme me Serbinë, e cila përfshinë fillimin e faturimit për qytetarët në katër komunat veriore.

“Është diskutuar për zbatimin e marrëveshjes e cila përfshin furnizimin, gjegjësisht faturimin e energjisë për katër komunat në veri të Kosovës, çka është kundërshtuar në vitin 2015 kompetencat që mund të krijojnë pavarësimin energjetik të katër komunave, e cila si proces tashmë dihet se nuk do të ndodhë prej 2015-ës deri në 2022-en. Kosova është anëtare e rrjetit evropian të operatoreve të transmisionit (ensoi) Kosova nga blloku rregullues me Serbinë ka dalur me bllokun rregullues me Shqipërinë në dhjetor të vitit 2020 tashmë çfarë ka mbetur pa u zbatuar apo çartë është e domosdoshme me u zbatua kthimi i normalitetit gjegjësisht rivendosja e sistemit të njëjte elektro energjetik si në gjitha pjesët e Kosovës fillimi i faturimit për energjinë e konsumuar në veri të vendit”, deklaroi Kusari.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se duhet të mundësohet tërheqja e mjeteve të TRUS-it nga qytetarët, meqë sipas tij, përfitojnë 695 mijë qytetarë.

“Në seancën e së mërkurës do jetë një draft ligj, draftligji për mundësimin e heqjes së 30% të kursimeve të qytetarëve në fondin pensional një çështje dhe kërkesë kjo e qytetarëve të Republikës së Kosovës e cila po vjen pikërisht në kohën kur vendi po ballafaqohet me një rritje jashtëzakonisht të madhe të çmimeve te secili produkt esencial, ushqimor, ashtu edhe të derivateve, edhe të kësaj sfidës të energjisë elektrike, të cilën ne nuk do të ndalemi dhe pa dyshim që do ta sfidojmë edhe në Gjykatën Kushtetuese. Ky draftligj prek 695 mijë kontribut pagues”, tha Tahiri.

Tahiri tutje ka shtuar se PDK vazhdon t’i mbështetë veteranët për përfshirjen në pagën minimale.

“Ne vazhdojmë me i mbështet sepse përcaktimi i pagës minimale e kemi thënë edhe atë ditë në seancë është përcaktimi i minimales me të cilat mundë të jeton një familje në vendin tonë, edhe pse ato prej 250 eurove sa ka parapare qeveria janë të pamjaftueshme për një familje që të mbulon shpenzimet mujore, ushqimet, energjisë elektrike, derivatet e kështu me radhë, po megjithatë lihen jashtë edhe kësaj radhe, jashtë kësaj page minimale kategoria më e ndjeshme në vendin tonë që janë kategoria e veteraneve të luftës është e papranueshme…. Ne shpresojmë që ky dialog të përfundon me një marrëveshje e cila do t’i gjejë të kënaqur veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ne presim rezultate pozitive nga ky dialog dhe i bëjmë thirrje e inkurajojmë qeverinë që t’i merr parasysh kërkesat e kësaj kategorie”, deklaroi Tahiri.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së ka thënë se pas arritjes së marrëveshjes me serbinë për energjinë në veri, do të fton qeverinë në një debat parlamentar ose interpelancë.

“Një transparencë shumë e madhe, nuk e dimë sa takime janë mbajtur, as në çfarë niveli janë mbajtur, as a janë takuar në nivel të ekspertëve apo zv.kryeministrave apo ministrave, pra cili ka qenë angazhimi i qeverisë në këtë aspekt dimë shumë pak besoj që pas nënshkrimit, finalizimit, çfarëdo që do të ndodhë ne do t’i ftojmë në një debat parlamentar, qoftë interpelancë, do të shohim se çfarë është arritur realisht siç po thuhet që është arritur implementimi i një marrëveshje kohë më parë apo ku është esenca e kësaj marrëveshje”, deklaroi Tahiri.

Besnik Tahiri nga AAK-ja ka bërë të ditur se edhe në seancën e re, do të kërkon që ligji për pagën minimale të sillet në kuvend për votim.

“Kërkova që në seancën e radhës në debatin që do të trajtojë ngritjen e çmimeve të flasim për masat konkrete që kjo qeveri duhet t’i bën. Për ne janë katër kryesore, për sektorin publik është tepër me rëndësi ligji i pagave, i cili tashmë është harruar, paga minimale të mos kthehet në problem politik por të jetë një ligj i cili i mundëson kategorive sektorin privat por edhe veteranëve që të shtyhet përpara, zvogëlimi respektivisht suspendimi i akcizës për pesë muaj dhe mbështetja e produkteve bazë dhe e fundit më e rëndësishmja ka të bëjë me rimëkëmbjen ekonomike e cila është harresë e që do duhet të bëhej me investime kapitale që janë bllokuar afër 600 kontrata të bllokuara me mijëra miliona janë të bllokuara investime publike në komuna janë të bllokuara krejt për shkak të mungesës së veprimit të qeverisë”, tha Tahiri.

Tahiri ka shtuar se e përkrahin tërheqjen e mjeteve të TRUST-it nga qytetarët, pasi që përfitojnë edhe ata të cilët nuk kanë kursime të mëdha.

Exit mobile version