Komuna e Prishtinës ka reaguar lidhur me materialet e publikuara që përmbajnë pretendime për parregullsi të mundshme në procesin e legalizimit të objekteve në kryeqytet, ku përmendet edhe shefi i kabinetit të kryetarit të Prishtinës, Florent Maliqi.
Në reagimin e saj, Komuna ka bërë të ditur se pret trajtimin e rastit nga Prokuroria dhe institucionet kompetente të drejtësisë, duke theksuar se do të ofrojë bashkëpunim të plotë gjatë gjithë procesit.
“Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me organet e drejtësisë”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës.
Po ashtu, Komuna ka theksuar se pas vendimit të Prokurorisë do të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj çdo personi që rezulton se ka shkelur ligjin.
“Pas vendimit të Prokurorisë, do t’i ndërmarrim pa asnjë hezitim të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj kujtdo që rezulton se ka shkelur ligjin”, thuhet në reagim./A.K/
