Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka marrë vendim për themelimin e dy mekanizmave të rinj brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit: Mekanizmit Mbikëqyrës të Punës së Prokurorit të Shtetit dhe Mekanizmit të Mbrojtjes së Integritetit të Prokurorit të Shtetit.
Sipas Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, mekanizmi mbikëqyrës do të analizojë cilësinë e aktakuzave që janë hedhur me vendim të formës së prerë, si dhe rastet që kanë përfunduar me aktgjykime liruese apo refuzuese, me fokus të veçantë në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Prokurorët e angazhuar në këtë mekanizëm do të japin rekomandime profesionale bazuar në gjetjet e tyre, të cilat do t’ia përcjellin Kryeprokurorit të Shtetit për vlerësimin e ligjshmërisë dhe unifikimin e praktikave institucionale.
Ndërkaq, Mekanizmi i Mbrojtjes së Integritetit të Prokurorit të Shtetit do të ofrojë mbrojtje institucionale dhe profesionale për prokurorët në rastet kur pretendohet ndikim i paligjshëm, cenohet pavarësia profesionale apo ndaj tyre zhvillohen sulme dhe fushata denigruese për shkak të vendimeve të marra gjatë ushtrimit të detyrës.
Sipas njoftimit, krijimi i këtyre dy mekanizmave ka qenë një nga prioritetet e paraqitura nga Gashi në konceptdokumentin e tij.
Gashi ka caktuar gjithashtu prokurorin Veton Shabani si Koordinator Nacional për Zgjedhje, ndërsa prokurorin Ersan Qavolli si Koordinator Nacional për rastet e Dhunës në Familje./A.K/
