UBT News

Kryeprokurori Isufaj: Do luftojmë kundër gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, pavarësisht pozitës që kanë

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i është përgjigjur kryeministrit Kurti, i cili i ka ftuar prokurorët ta intervistojnë në zyrën e tij në Qeveri.

Isufaj ka kërkuar nga Qeveria që të tregojë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe ta shmangë retorikën që synon politizimin e drejtësisë.

“Ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe zyrtarët e lartë shtetërorë. Ftesa për dhënie të dëshmisë është procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë, andaj u bëj thirrje të gjitha institucioneve, përfshirë edhe Qeverinë e Kosovës që të tregojë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë. Nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt se fare nuk më interesojnë, po flas atë që unë di dhe që mendoj se duhet bërë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se nuk ka informacione nëse ndokush ndonjëherë është intervistuar në zyrën e Kryeministrit.

“Sistemi Prokurorial dhe ai Gjyqësor nuk janë për të bërë skenarë, ne punën tonë e kemi të përcaktuar me ligj dhe Kushtetutë dhe nuk bëjmë dallime as për nga pozita as për nga emërimi. Unë nuk kam informacione nëse ndokush ndonjëherë është intervistuar në zyrën e Kryeministrit, ndoshta edhe mund të ketë, por unë nuk e di. Në këto pesë vjet sa jam kryeprokuror i kësaj prokurorie, raste të tilla nuk ka pasur. Deklaratat denigruese dhe fyerjet ndaj prokurorëve dhe Prokurorisë jo vetëm që minojnë integritetin dhe sistemin e drejtësisë, por e cenojnë edhe besimin e publikut në sundimin e ligjit”, ka shtuar ai

Exit mobile version