Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, priti sot në takim njoftues Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Ambasadoren Heleni Vakali.
Kryetari Konjufca i shprehu mirëseardhje dhe e uroi për detyrën e re ambasadoren Vakali, thuhet në komunikatën për media. Ai po ashtu i vlerësoi marrëdhëniet e mira mes shteteve tona dhe çmoi përkrahjen e Greqisë, duke shprehur njëherësh gatishmërinë e avancimit të raporteve ndërshtetërore dhe thellimin e bashkëpunimit në projekte të ndryshme me interes të përbashkët.
Kryetari i Kuvendit ritheksoi rëndësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Greqia, mbështetjen për proceset e integrimit evropian dhe euroatlantik, si dhe kërkoi përkrahjen për liberalizimin e vizave, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare.
Në takim u shpreh gatishmëria për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë.