Suedia nuk financon apo armatos organizata terroriste, deklaroi kryeministrja Magdalena Andersson në përgjigje të pretendimeve të Turqisë se ajo është “çerdhe” e organizatave terroriste.
Turqia po kundërshton përpjekjet e Suedisë dhe Finlandës për t’u anëtarësuar në NATO, duke i akuzuar ato për strehim të anëtarëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), grup që konsiderohet organizatë terroriste dhe ndjekësit e Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e akuzon për orkestrimin e një përpjekjeje për grusht shtet në vitin 2016.
“Ne nuk u dërgojmë para as armë organizatave terroriste”, deklaroi Andersson në një konferencë për media në Stockholm.
Përfaqësuesit e Suedisë dhe Finlandës po takojnë sot zyrtarët turq për bisedime rreth aplikimeve të tyre për t’u anëtarësuar në NATO. Atyre u duhet mbështetja e 30 anëtareve të NATO-s, por Turqia deri më tani ka kundërshtuar ofertat e tyre./UBTNews/