Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, ka thënë se Shtetet e Bashkuara tashmë e kanë ngatërruar punën në Afganistan dhe iu referua talibanëve si civilë normalë.
Gjatë një interviste për televizionin amerikan, PBS, Khan tha se Pakistani, vend fqinj i Afganistanit, është duke mbajtur tre milionë refugjatë afganë.
Komenti i tij ishte përgjigje ndaj pyetjes rreth akuzave të gjata të Shteteve të Bashkuara dhe qeverisë afgane se Pakistani po ofron strehë të sigurt për talibanët afganë, shkruan Independent.
“Kur ata thonë se Pakistani ka ofruar strehë të sigurta për talibanët, ku janë këto strehë të sigurta?
Ka kampe me 100.000 njerëz dhe talibanët nuk janë ndonjë grup i organizuar ushtarak. Ata janë civilë normalë. Nëse janë disa civilë në këto kampe, si duhet Pakistani t’i ndjekë këta njerëz”, tha shefi i qeverisë pakistaneze.
Pakistani për një kohë të gjatë është akuzuar për ofrim të përkrahjes ushtarake, logjistike dhe financiare si dhe inteligjencë për talibanët që luftojnë kundër forcave qeveritare afgane.
Më 16 korrik, Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, tha se sipas vlerësime të inteligjencës, mbi 10.000 xhihadistë nga Pakistani dhe vende të tjera janë futur në muajin e fundit në Afganistan.
Pakistani e mohoi këtë pretendim dhe tha se Afganistani nuk ka ofruar ndonjë dëshmi për ta vërtetuar atë që e ka thënë rreth fluksit të militantëve.