UBT News

Kryeministri Kurti: Sot rritet dhe ngritet edhe më tej ushtria jonë

“Dita kur ju betoheni t’i shërbeni atdheut tuaj, popullit tuaj, me krenari dhe nder, është dita kur e gjithë Kosova merr forcë të re dhe fiton vullnet të shtuar. Shërbimi i juaj vetëmohues është inspirim dhe tregues më i çiltër i atdhedashurisë dhe përkushtimit ndaj vlerave të shtetit dhe popullit tonë”, tha Kryeministri, Albin Kurti, para rekrutëve të rinj të gjeneratës 02/2021.

Ai shtoi se me bashkimin e tyre në Forcën e Sigurisë, sot po rritet dhe ngritet edhe më tej ushtria jonë.

I shoqëruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Komandanti i Forcës së Sigurisë, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të 190 rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Nga sot, ju jeni pjesë e një force që i shërben popullit të saj paqedashës, Forcës e cila është boshti i fuqishëm i shtetit të Kosovës dhe partner i palëkundur i shteteve mike. Detyra juaj është më fisnike sepse ju i shërbeni paqes së qëndrueshme dhe vlerave demokratike”, shtoi kryeministri.

Në fund, kryeministri Kurti teksa u bëri thirrje rekrutëve të rinj që të investojnë në veten e tyre, të mësojnë dhe stërviten, të shërbejnë me humanitet dhe dinjitet, të luftojnë me guxim dhe të bëhen ushtarë të fortë të ushtrisë së fuqishme të Kosovës.

Exit mobile version