Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, ka ripërsëritur qëndrimin se vendi i tij nuk do t’i ofrojë Ukrainës ndihmë financiare apo ushtarake për të vazhduar luftën kundër Rusisë.
Gjatë një konference për shtyp, Fico theksoi se Këshilli Evropian nuk ka marrë asnjë angazhim konkret për ndihmë të detyrueshme financiare dhe ushtarake për Ukrainën në samitin e mbajtur të enjten. Sipas tij, çdo mbështetje për Kievin do të mbetet në baza vullnetare, dhe Sllovakia nuk do të jetë mes vendeve që do të ofrojë ndihmë.
Ai gjithashtu përshëndeti përfshirjen e shqetësimeve të Sllovakisë në deklaratën përfundimtare të samitit, veçanërisht lidhur me negociatat për rinovimin e furnizimeve me gaz natyror rus për Evropën Qendrore përmes Ukrainës. Fico tha se tani Bratislava do të ushtrojë presion maksimal ndaj Kievit për të zgjidhur këtë çështje.
Ndërkohë, 26 vende të BE-së – përfshirë Sllovakinë – kanë nënshkruar një deklaratë që përcakton vijat e kuqe për bisedimet e ardhshme të paqes, ku mbështet anëtarësimi i Ukrainës në BE dhe premtohet ndihma e ardhshme ushtarake. Hungaria ishte i vetmi vend që nuk e nënshkroi këtë deklaratë.