Një samit virtual i Grupit të Shtatë të premten do t’u bëjë thirrje vendeve që të mos dërgojnë ndihmë ushtarake në Rusi, tha kryeministri japonez, përpara takimit që shënon një vit nga pushtimi i Ukrainës.
Fumio Kishida nuk veçoi asnjë komb, megjithëse Rusia ka përdorur dronët iranianë në Ukrainë, dhe Uashingtoni kohët e fundit ka paralajmëruar se Pekini po e konsideron furnizimin e përpjekjeve luftarake të Moskës.
Kina i ka mohuar këto pretendime.
“Duke pasur parasysh mbështetjen ushtarake për Rusinë nga vendet e treta që është vënë në dukje, G7 synon të bëjë thirrje që kjo mbështetje të ndërpritet”, u tha Kishida gazetarëve.
Kishida tha seG7 do të diskutojë sanksione të reja ndaj Moskës.
“Ajo që është e rëndësishme në takimin e sotëm është që G7 të mbetet e bashkuar. Për të ndaluar pushtimin e Rusisë, është gjithashtu e rëndësishme të riafirmojmë se ne do të vazhdojmë dhe forcojmë sanksionet tona kundër Rusisë dhe mbështetjen për Ukrainën”, shtoi ai.
Kishida është i vetmi lider i G7 që nuk ka udhëtuar ende në kryeqytetin ukrainas, me qeverinë japoneze që përmend pengesat duke përfshirë sigurinë dhe mbajtjen sekrete të planeve./UBTNews/