Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, u takua me princin e kurorës së Abu Dabit sot (13 dhjetor), pasi u bë lideri i parë i shtetit hebre që vizitoi Emiratet e Bashkuara Arabe, përcjell UBT News.
Bennett u takua me princin e kurorës, Sheikh Mohammed bin Zayed Al-Nahyan në pallatin e tij privat, thanë zyrtarët izraelitë pas mbërritjes së kryeministrit në kryeqytetin e Emirateve të dielën vonë.
Kryeministri i cili pritej të fokusohej në lidhjet tregtare, sipas zëdhënësit të tij, tha se vizita e tij pasqyronte një “realitet të ri” për rajonin.
“Për mendimin tim, ky është… realiteti i ri që po përjeton ky rajon dhe ne po punojmë së bashku për të siguruar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”, i tha ai agjencisë zyrtare të lajmeve WAM të Emirateve, transmeton UBT News.
Bennett ishte planifikuar gjithashtu të takohej me ministrin e Teknologjisë dhe atë Transportit gjatë vizitës së tij, sipas zyrtarëve izrealitë.
Ndërsa ai është kryeministri i parë izraelit që viziton Emiratet e Bashkuara Arabe, Ministri i Jashtëm, Yair Lapid, bëri një udhëtim historik në qershor, duke hapur një ambasadë në Abu Dabi dhe një konsullatë në Dubai.
Emiratet e Bashkuara Arabe hapën një ambasadë në Tel Aviv në korrik./UBTNews/