Kryeministri hungarez, Viktor Orban ka folur sot me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe i ka bërë thirrje për armëpushim në Ukrainë. Ai tha në një konferencë për shtyp se e ka ftuar Putinin për bisedime paqeje në Hungari, së bashku me presidentin e Ukrainës dhe atë të Francës, si dhe me kancelarin gjerman.
Sipas tij, përgjigja e Putinit ishte “pozitive, por me kushte”, ndonëse nuk dha detaje të mëtejshme. Orban u tha gjithashtu gazetarëve se nuk do të dorëzohet para presionit për të zgjeruar sanksionet ndaj importeve të naftës dhe gazit nga Rusia. Ai thotë se është i gatshëm të paguajë me rubla gazin rus, duke i dalë kundër Bashkimit Evropian, që ka kërkuar të bëhen bashkë për të kundërshtuar kërkesën e Moskës për pagesë në monedhë.
Orban njihet për raportet e mira me Rusinë dhe i përshkroi burokratët e Brukselit dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky si “kundërshtarë” në fjalimin e tij të fitores pasi siguroi edhe mandatin e katërt si kryeministër i Hungarisë./UBTNews/