UBT News

Kryeministri i Holandës dhe i Luksemburgut kërkojnë uljen e tensioneve në veri

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel kanë kërkuar që të ulen tensionet në veri të Republikës së Kosovës. Gjatë konferencës së përbashkët për media me kryeministrin Kurti, të dy theksuan nevojën e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Mark Rutte deklaroi se nuk duhet të drejtohet gishti tek fajtori për tensionimet mes Kosovës dhe Serbisë. Ai theksoi se Kosova e Serbia duhet t’i përmbahen udhërrëfyesit të BE-së.

“Nuk e di nëse duhet ta drejtojmë gishtin tek fajtori. Dëshirojmë të jemi ndihmues dhe të kthehemi tek hapat e mërzitshëm. Ne shkurt kemi pasur një marrëveshje dhe të punojmë në të gjithë hapat. Pajtohemi me ju se çdo gjë nuk është implementuar. Sipas Serbisë jo çdo gjë qe është zotuar Kosova, e ka implementuar dhe e kundërta. Keni bërë premtime të dyja palët. Besoj çështja më kryesore dhe e drejtë është që t’i përmbahemi udhërrëfyesit dhe planit”, tha ai.

Pas takimit me kryeministrin Kurti, ai shtoi se janë të gatshëm që të ndihmojnë Kosovën.

“Jemi të gatshëm të ndihmojmë nëse mundem. Isha shumë i lumtur në shkurt kur me pjesëmarrjen e Gjermanisë dhe Francës arritëm një marrëveshje bazë. Që nga atëherë tensionet janë ngritur ende dhe duhet të fokusohemi në çështjen e deeskalimit. Një proces hap pas hapi dhe duket i mërzitshëm por pjesa e mërzitshme duhet të implementohet hap pas hapi dhe në mënyrë te përpiktë. Deeskalimet duhet të jenë nga dyja palët. Jam optimist se mendjet e ftohta do të mbizotërojnë. Është interes i te gjithëve për ta bërë atë”, tha ai.

Edhe kryeministri i Luksemburgut u shpreh se duhet të fillohet të punohet në udhërrëfyesin e BE-së.

“Stabiliteti është në interes të të gjithëve. Unë mund të përkrah Kurtin dhe Osmanin, Vuçiq e Bërnabiq që t’i përmbahen këtij udhërrëfyesi të BE-së.

Kryeministri Kurti tha se është e nevojshme që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura me Serbinë.

“Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar se Kosova është e përkushtuar për marrëdhënie të mira fqinjësore, ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi Marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe Aneksin e zbatimit të 18 marsit, për të cilën dëshirojmë të zbatohet në plotni, pa vonesa dhe pa kushte. Demokracitë solidarizohen me njëra-tjetrën përballë autokracive andaj edhe progresi demokratik i Kosovës është mundësi jo vetëm ëpr shtetin dhe shoqërinë tonë, por edhe për Bashkimin Evropian që të shtyjnë përpara reformat dhe transformimin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti.

Exit mobile version