Kryeministri finlandez, Petteri Orpo ka thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është “dobësuar” pas një rebelimi 24-orësh nga grupi ushtarak privat Wagner.
Kryengritja jetëshkurtër e cila ndodhi javën e kaluar u drejtua nga ish-aleati i Putinit dhe pronari i grupit paraushtarak Wagner, Yevgeny Prigozhin.
Në një samit të liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel gjatë të enjtes, Orpo tha “ishte befasi ajo që ndodhi një javë më parë”, duke shtuar se “ne duhet të vëzhgojmë me shumë kujdes se çfarë po ndodh, çfarë po ndodh në Rusi, në Moskë, çfarë po ndodh në Bjellorusi me Wagnerin”.
Ai paralajmëroi se: “Ne duhet të analizojmë me shumë kujdes se çfarë po ndodh në Ukrainë, në kufirin me Ukrainën dhe në luftë”.
Ai premtoi mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën “për aq kohë sa duhet” dhe bëri thirrje për më shumë sanksione.
“Ne duhet t’i dërgojmë një sinjal të qartë popullit ukrainas se ne i qëndrojmë pranë. Në të njëjtën kohë, ky është një sinjal i qartë edhe për Putinin se ai nuk do ta fitojë këtë luftë”, përfundoi Orpo./UBTNews/