Kryeministri bullgar, Kiril Petkov thotë se paralajmërimi i Rusisë se po i mbyllte furnizimet me gaz Bullgarisë për shkak të kërkesave për të ndryshuar skemën e pagesave është një shkelje e rëndë e një kontrate aktuale dhe përbën një shantazh.
Petkov tha se Bullgaria po rishikonte të gjitha kontratat e saj me Gazprom, duke përfshirë transitin e gazit rus në Serbi dhe Hungari, sepse “shantazhi i njëanshëm nuk ishte i pranueshëm”.
Petkov tha se ai foli me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila e siguroi atë se blloku 27-anëtarësh do të kishte një përgjigje të përbashkët. Gazprom tha se kishte ndërprerë furnizimin me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë për dështimin e pagesës në rubla./UBTNews/