Kryeministri britanik, Boris Johnson tha të premten se Rusia ka një “mundësi realiste” për të fituar luftën në Ukrainë, duke e quajtur situatën atje “të paparashikueshme” për momentin.
Duke folur për gazetarët në Nju Delhi, Johnson tha se Presidenti rus Vladimir Putin ka një “ushtri të madhe”, por shtoi:
“Ai ka një pozicion shumë të vështirë politik, sepse ka bërë një gabim katastrofik. E vetmja mundësi që ai ka tani është të përpiqet të vazhdojë të përdorë qasjen e tij të tmerrshme, të ashpër të udhëhequr nga artileria, duke u përpjekur të shkatërrojë ukrainasit. Ai është shumë afër sigurimit të një ure tokësore në Mariupol tani. Situata është, kam frikë, e paparashikueshme në këtë fazë. Thjesht duhet të jemi realistë për këtë”.
Ai gjithashtu foli për planet e mëtutjeshme sa i përket situatës së furnizimit me armë të rënda.
“Ne po shikojmë të dërgojmë tanke në Poloni për të ndihmuar pasi ata dërgojnë disa nga T-72-të e tyre në Ukrainë”, tha Johnson, duke shtuar se Britania po shikon opsione të tjera si “mbrojtja kundër anijeve”.
“Duhet të shikojmë se çfarë mund të bëjmë më shumë ushtarakisht, duhet të vazhdojmë të intensifikojmë sanksionet ekonomike… dhe duhet gjithashtu të përcaktojmë një vizion për të ardhmen e Ukrainës në arkitekturën e sigurisë së Evropës”, tha ai.
Johnson tha se Ambasada Britanike në Ukrainë do të rihapet në Kiev “shumë shpejt”./UBTNews/