Mbretëria e Bashkuar po lufton me një nga nivelet më të larta të infeksionit COVID-19 në Evropë, pavarësisht suksesit të fushatës së vaksinimit, kështu duke vënë në pikëpyetje politikën liberale të qeverisë së Boris Johnson.
Shifrat e publikuara të hënën treguan se 49,156 persona të tjerë rezultuan pozitivë në periudhën e fundit 24-orëshe, numri më i lartë që nga mesi i korrikut, transmeton UBT News.
Gjatë dy javëve të fundit, infeksionet e reja janë luhatur midis 35,000 dhe 45,000 raste ditore. Vetëm Rumania, Serbia dhe vendet baltike janë në një situatë më të keqe.
Në konferencën e Partisë Konservatore, fokusi i kryeministrit ishte më shumë në rimëkëmbjen pas pandemisë.
Rreth 15% e britanikëve nuk mbajnë kurrë maskë, sipas një sondazhi të YouGov në mes të tetorit. Edhe në transportin publik në Londër, ku maskat mbeten të detyrueshme, rregulli injorohet nga shumica e udhëtarëve, përcjell UBT News.
Disa shkencëtarë po i bëjnë thirrje qeverisë të rishikojë politikën e saj, veçanërisht gjatë kësaj kohe kur afrohet dimri, që konsiderohet si një periudhë e tensionuar për spitalet.
Ata duan që qeveria të aktivizojë “planin B”, i cili parashikon kthimin e masave si mbajtja e maskës në ambiente të mbyllura ose puna nga shtëpia, në rast të një përkeqësimi të gjendjes gjatë dimrit.
Njerëzit e parë që u vaksinuan, tani po përjetojnë një rënie të imunitetit ndaj virusit. Kjo është veçanërisht e vërtetë në mesin e shumë njerëzve që u vaksinuan me Oxford-AstraZeneca efektiviteti i së cilës zhduket më shpejt se ai i konkurrentëve të tij, sipas disa studimeve./UBTNews/