Kryeministri australian, Scott Morrison ka diskutuar për tenistin serb, Novak Gjokoviq dhe vizën e tij me homologen serbe, Ana Bërnabiq, teksa tenisti vazhdon të përballet me kërcënimet për dëbim, pavarësisht se ka fituar betejën gjyqësore, që ia mundëson garën në turneun, Australian Open.
Zyra e Morrisonit ka thënë se dy krerët qeveritarë janë pajtuar përmes telefonit, që të mbesin në kontakt për çështjen e vizës së 34-vjeçarit.
Televizioni publik i Serbisë, ka raportuar se Bërnabiq i ka kërkuar Morrisonit që të sigurohet se tenisti serb po trajtohet me dinjitet.
“Kryeministrja serbe e ka theksuar rëndësinë e krijimit të kushteve për trajnim fizik dhe psikik për garën e radhës, duke marrë parasysh se Gjokoviq nuk ka mundur të ushtrojë në ditët e fundit dhe se turneu në Melbërn nis këtë fundjavë”, ka thënë Televizioni serb.
Gjokoviq është parë në fushën e tenisit disa orë pasi është liruar nga qendra e ndalimit në Melbërn.
Më 10 janar, një gjyqtar australian ka fuqizuar vizën e tenisit, ndonëse ajo i ishte refuzuar javën e kaluar, pasi tenisti i pavaaksinuar kundër koronavirusit është thënë se ka shkelur rregulloret e Australisë për luftim të pandemisë.
Ai ka siguruar një dokument mjekësor nga organizata për tenis në Australi, që i mundësonte shmangien e kufizimeve për të hyrë në këtë shtet, pasi ka deklaruar se është infektuar me koronavirus muajin e kaluar.
Ndonëse gjykata ka thënë se viza e tij është valide për shkak të situatës së krijuar dhe mundësisë së kufizuar të Gjokoviqit për të biseduar me këshilltarë dhe organizatorë të turneut, ajo nuk ka marrë vendim nëse ka qenë e arsyeshme kërkesa e tij për shmangie nga kufizimet.
Në publik ka dyshime për dokumentin e Gjokoviqit që tregon se ai ka qenë i infektuar me koronavirus më 16 dhjetor, pasi ai ka bërë paraqitje publike pas asaj date, pa vendosur maskë dhe pa mbajtur distancë fizike.
Sipas ligjit serb, një person që infektohet me koronavirus, duhet të qëndrojë për 14 ditë në karantinë.
Ministri australian për Migrim, Alex Hawke, ka paralajmëruar se është duke konsideruar mundësinë e ushtrimit të fuqisë ekzekutive për ta dëbuar Gjokoviqin./REL