Policia e Karabinierëve të Italisë ka arrestuar Matteo Messina Denaron, bosin më të kërkuar të mafias në vend, njoftuan mediat lokale të hënën.
Messina Denaro, 60 vjeç, dyshohet se është një bos i mafias siciliane Cosa Nostra dhe ka qenë në arrati që nga viti 1993. Ai u ndalua në një klinikë private në Palermo, ku po trajtohej për një sëmundje të paspecifikuar, u tha gazetarëve komandanti i Karabinierëve, Pasquale Angelosanto.
Messina Denaro është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e prokurorëve antimafia në vitin 1992, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino. Ai gjithashtu përballet me një dënim të përjetshëm për sulmet me bomba në Firence, Romë dhe Milano, ku mbetën të vdekur dhjetë persona.
Policia tha në shtator të vitit 2022 se ai ende mund të lëshojë komanda në lidhje me mënyrën se si drejtohet mafia në zonën përreth qytetit perëndimor sicilian të Trapanit, bastioni i tij rajonal, pavarësisht zhdukjes së tij prej kohësh./UBTNews/