UBT News

Kryediplomatja evropiane: Vendet e BE-së nuk mbështetën konfiskimin e aseteve të ngrira ruse

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas tha se jo të gjitha vendet anëtare të BE-së e kanë mbështetur idenë e konfiskimit të aseteve të ngrira të Rusisë.

Kallas në një deklaratë për media në përfundim të takimit që ministrat e Jashtëm të BE-së mbajtën në Bruksel tha se për konfiskimin e aseteve të ngrira të Rusisë nevojitet mbështetja e të gjitha vendeve anëtare të BE-së. “Për momentin nuk ka mbështetje të mjaftueshme për këtë. Nuk jam optimiste se do të arrijmë marrëveshje edhe në mars“, tha ajo.

Puna për asetet ruse po vazhdon“, tha Kallas dhe shtoi se në takimin e ministrave të Jashtëm ka ndryshuar mendje një vend i cili kishte kundërshtuar më parë sekuestrimin e aseteve ruse.

Në situatën aktuale taksapaguesit e BE-së nuk duhet të paguajnë çmimin e luftës, tha Kallas e cila shpjegoi se është e drejtë që çmimi të paguhet nga Rusia e cila ka shkatërruar Ukrainën.

Kallas kërkon që asetet e ngrira të Rusisë të përdoren drejtpërdrejt në ndihmën për Ukrainën.

Aktualisht, Ukraina po mbështetet duke i dhënë garanci për të ardhurat nga asetet e ngrira ruse.

Për shkak të luftës, vendet e BE-së kanë ngrirë rreth 300 miliardë euro asete ruse, 210 miliardë prej të cilave i përkasin Bankës Qendrore Ruse. Belgjika, që është shtëpia e Euroclear-it, një shërbim shkëmbimi dhe ruajtja e letrave me vlerë, është vendi i BE-së me numrin më të madh të aseteve të ngrira ruse.

Në Belgjikë ndodhen 258 miliardë euro asete të ngrira ruse ose të pasivizuara.

Exit mobile version