Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi, i cili është edhe drejtor i Zyrës së Komisionit të Punëve të Jashtme të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze, do të vizitojë Shën Petersburgun më 11-12 shtator për të marrë pjesë në një takim të BRICS për sigurinë, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning në një konference për mediet.
“Me ftesë të Sekretarit të Këshillit të Sigurimit rus Sergej Shoigu, Wang Yi do të vizitojë Shën Petersburg në 11-12 shtator për të marrë pjesë në takimin e 14-të të përfaqësuesve të lartë të BRICS të ngarkuar për sigurinë,” tha zëdhënësja.
Gjatë takimit, Wang do të shkëmbejë mendime me kolegët e tij të BRICS “për situatën aktuale në fushën e sigurisë ndërkombëtare dhe çështjet kryesore ndërkombëtare dhe rajonale”, specifikoi zëdhënësja e diplomacisë kineze. Për më tepër, diplomati i lartë kinez do të hedhë bazat për takimin e BRICS në Kazan, i caktuar për në fund të tetorit.
“Vendet e BRICS kanë qenë gjithmonë të përkushtuara për të mbështetur paqen botërore, duke ndihmuar zhvillimin e përgjithshëm dhe praktikimin e multilateralitetit dhe promovimin e qeverisjes globale në një mënyrë më të drejtë dhe më të arsyeshme,” tha Mao.
Ajo shtoi se Kina shpreson të punojë me partnerët e BRICS, për të forcuar partneritetin strategjik të grupit dhe për të ndihmuar në mënyrë aktive në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në mbarë botën.
Samiti i BRICS është planifikuar për 22-24 tetor. Më herët, presidenti rus Vladimir Putin tha se planifikon të takohet veçmas me homologun e tij kinez Xi Jinping, gjatë samitit të BRICS në Kazan./ TASS.